Secondary Adv

Rishikohet buxheti: Pensionistët më shumë para në fundvit, 6 mld lekë shtesë infrastruktura

Qeveria ka miratuar një akt normativ për ndryshimin e buxhetit të vitit 2025.

Qeveria ka parashikuar një fond prej 5.9 miliardë lekësh (rreth 59 milionë euro) për shpërblimin e fundvitit të 756 mijë pensionistëve në të gjithë vendin. Masa e bonusit pritet të jetë më e lartë se një vit më parë.

 

Qëllimi: përmirësimi i mbështetjes ekonomike për të moshuarit

Sipas relacionit shoqërues të aktit normativ, rritja e fondit bëhet për shkak të tejkalimit të pritshëm të të ardhurave nga kontributet dhe me qëllim përmirësimin e nivelit të përfitimit për pensionistët, të cilët po përballen me rritje të kostove të jetesës. Qeveria thekson se bonusi i fundvitit është kthyer në një praktikë të përvitshme, me frekuencë dhe vlerë në rritje.

 

Shtesa në buxhet për projekte infrastrukturore

Përveç fondit për bonusin e pensionistëve, ndryshimet në buxhet parashikojnë shtesë prej 7.97 miliardë lekësh për shpenzime kapitale me financim të brendshëm, kryesisht për projekte infrastrukturore të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

 

Rreth 2.4 miliardë lekë do të përdoren për avancimin e projekteve rrugore si “Ndërtimi i rrugës lidhëse Tiranë–Elbasan me korridorin VIII”, “Rikualifikimi urban i Superstradës Tiranë–Durrës (Faza I–III)”, “Ndërtimi i rrugës Kashar–Nyja Vaqarr (Faza III)” dhe “Spostimi i linjave të tensionit të lartë në aksin e korridorit VIII”.

 

Mbështetje për transportin ajror, energjinë dhe industrinë

Rreth 3 miliardë lekë do të shkojnë për Albcontrol-in për të mbuluar vështirësitë financiare pas bllokimit të llogarive, ndërsa 203 milionë lekë do të përdoren për shlyerjen e detyrimeve të institucioneve nën Ministrinë e Energjisë. Për transportin hekurudhor parashikohen 364 milionë lekë për ndërtimin e zgjatimit të linjës hekurudhore “Terminali i transportit publik – stacioni i trenit Tiranë”, pjesë e projektit Durrës–Tiranë. Gjithashtu, 50 milionë lekë janë parashikuar për programin “Mbështetje për industrinë dhe burimet natyrore”.

 

Ndryshime si rezultat i performancës së të ardhurave

Qeveria sqaron se këto rialokime buxhetore pasqyrojnë performancën pozitive të të ardhurave në 9-mujorin e parë të vitit, si dhe nevojën për mbulim financiar të institucioneve pas ndryshimeve në strukturën qeveritare.

Burimi: Scan


Më të lexuarat